Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj thotë se, paketa e ndihmës që qeveria ka nisur të zbatojë për të vetëpunësuarit apo biznesin e vogël, ka një të fshehtë.
Sipas tij, qeveria nga një anë u jep pagë minimale dhe nga ana tjetër, do të jenë të detyruar që brenda datës 20 prill të paguajnë sigurimet shoqërore për 3-mujori e parë të 2020.
Duke e cilësuar paketën e ndihmës një mashtrim, z. Shehaj thotë se diferenca që të vetëpunësuarve u mbetet në xhep është vetëm 2 mijë lekë.
Reagimi i ish-deputetit:
Çdo i vetëpunësuar në biznesin e vogël duhet të paguajë brenda datës 20 prill rreth 24000 lekë sigurime shoqërore për periudhën janar-mars. Një pjese të vogël prej tyre qeveria do ju japë 26000 leke ne muajin prill për pagën e luftës. Atyre do t’u mbeten vetëm 2 mijë lekë në xhep. Ata që nuk do marrin as “pagën e luftës”, duhet të paguajnë nga xhepi i tyre të gjithë shumën 24000 Lekë.
Paketa e qeverisë për të ndihmuar njerëzit dhe bizneset e vogla është një mashtrim: ato pak lekë që qeveria t’i jep në mëngjes, t’i merr në darkë. Madje shumicës së bizneseve qeveria nuk do t’u japë asgjë dhe do ja u marrë detyrimet fiskale njësoj si në kohë normale. Kjo është lojë e rrezikshme me jetët e njerëzve dhe me ekonominë e vendit.