blank

Janë me dhjetra tendera të fituar nga një konkurrent i vetëm

“Janë me dhjetra tendera të fituar nga një konkurrent i vetëm”

Kjo deklaratë ka ardhur nga ish-deputetiti i Partisë Demokratike Agron Shehaj në emisionin Opinion në TV Klan, në datën 31 tetor të këtij viti.

“Faktoje” komunikoi me ish-deputetin Shehaj për të mësuar se në çfarë burimi të dhënash bazohej për konstatimin e bërë. Shehaj u përgjigj se të dhënat i referoheshin buletinit të “Agjencisë së Prokurimeve”. “Aty shpallen fituesit e tenderave, oferatat fituese , sa oferta ka pasur etj” –tha Shehaj për “Faktoje.

Nisur nga kjo deklaratë e ish-deputetit  “Faktoje” bëri një kontroll në faqen publike të “Agjensisë së Prokurimit Publik” për të mësuar sesa tendera  janë fituar nga një konkurent i vetëm për vitin 2019.

Nga ky verifikim konstatuam se të paktën 50 tendera për punë apo shpenzime publike janë fituar nga një konkurent i vetëm.

Një pjesë e këtyre tenderave janë si më poshtë:

1) Vendosjen e zonave të shijimit në familjet përfituese të projektit “Kuzhina lokale Mali i Zi-Shqipëri” . Bashkia Pukë

2) Shpenzime për mirëmbajtjen e aparateve, paisjeve teknike dhe veglave të punës. Bashkia Tiranë

3) Blerje transformator,pompa. Bashkia Dropull

4) Rehabilitimi i kanalit ujitës në Babicë , Vlorë.

5) Blerje çakëll makinerie 1-100 mm per rruge urbane dhe rurale në Bashkinë Divjakë

6) Blerje bitumi. Qeverisja vendore Tiranë

7) Shpenzime për blerje nafte. Klos

8) Shfrytëzim pyjesh në ekonomitë pyjore në Bashkinë Librazhd

9) Blerje dru zjarri dhe pelet ptruer Q.E.A. Qeverisja vendore Durrës

10) Blerje uniforma dhe veshje të tjera speciale. Qeverisja vendore Tiranë

11) Riparim dhe furnizim vendosje pjesë kembimi automjete 2019. Qeverisja Vendore Elbasan

12) Rehabilitim e mirëmbajtje kanale ujitës e kullues në Bashkinë Kolonjë, viti 2019.

13) Loti nr 1 Ushqime Koloniale. Qeverisja Vendore Gjirokastër

14) Loti nr 2 fruta dhe perime. Qeverisja Vendore Gjirokastër

15) Loti nr 3 qumësht dhe nënprodukte të tij . Qeverisja Vendore Gjirokastër

16) loti nr 4 Bukë. Qeverisja Vendore Gjirokastër

17) loti nr 5 Mish. Qeverisja Vendore Gjirokastër

18) Blerje dru zjarri për shkollat, kopshtet, çerdhen e qytetit dhe njësive administrative. Qeverisja Vendore Librazhd

19) Blerje tuba betoni për rrugët rurale. Qeverisja Vendore Gramsh

20) Blerje uniforma dhe veshje speciale. Qeverisja Vendore Tiranë

21) Ricungime e rrallime. Qeverisja Vendore Librazhd

22) Furnizim vendosje dyer druri në objektet arsimore. Qeverisja Vendore Tiranë

23) Blerje pjesë këmbimi dhe shërbime për mjetet e transportit për Bashkinë Berat dhe ndërmarrjet vartëse.

24) Blerje Karburant për nevojat e Shoqerisë. Qeverisja Vendore Pogradec

25) Furnizim&Vendosje dhe punime hidraulike saracineske në rezervuarin ISHËM. Qeverisja Vendore Durrës

26) Sigurimi i objekteve arsimore. Qeverisja Vendore Elbasan

27) Blerje dru zjarri për nevojat e shkollave, kopshteve, çerdheve dhe konviktit për vitin 2019. Qeverisja Vendore Gramsh

28) Blerje karburant ( diesel, benzinë, gaz propan) për nevoja të Bashkisë Finiq ( shtese buxheti).

29) Blerje gaz për gatim për QEA. Qeverisja Vendore Durrës

30) Blerje dru zjarri për nevojat e Bashkisë Rrogozhine. Qeverisja Vendore Rrogozhinë

*Burimi Agjencia e Prokurimit publik

Si arrijnë dhe fitohen këto tendera me një konkurent? Çfarë efekti kanë në ekonomi? Këto pyetje “Faktoje” ia drejtoi ekspertit të ekonomisë Zef Preçi.

Në vlerësimin e  tij, tenderat bëhen me një konkurrent të vetëm, sepse një pjesë e konkurrentëve potencialë në fushën përkatëse nuk besojnë në integritetin e procesit të përzgjedhës s ë pjesëmarrësve në tender. Për rrjedhojë nuk marrin pjesë fare sepse janë të ndërgjegjshëm se shërbejnë si fasadë, pasi fituesi është i paracaktuar.

Arsyeja e  dytë  pse tënderat bëhen me një konkurrent të vetëm sipas Preçit është sepse titullarët e institucioneve thërrasin të njohurit e tyre, për të mos marrë pjesë në tender.

Arsyeja e tretë sipas ekspertit, është sepse në formulimin e termave të referencës në tendera  vendosen kushte specifike të cilat i plotëson vetëm një kompani. Pra fituesi vendoset përmes specifikimeve teknike.

“Ndikimet e kësaj forme ndikojnë në rishpërndarjen e padrejtë të burimeve. Nuk i lejohet tregut të lirë të bëjë rishpërndarjen, por kjo rishpërndarje e  pilotuar e burimeve ekonomike krijon vështirësi për firma të mesme dhe të vogla, sepse sistemi i prokurimit është zinxhir. Ti prokuron një firmë, por ajo ka disa firma të lidhura me të përmes të cilave punësohen njerëz, sigurohet mirëqenie, paguhen taksa etj. Përqëndrimi apo kufizimi i prokurimit është përqëndrim i korrupsionit apo rritje e korrupsionit. Pra përkeqëson efiçencën e fondeve publike dhe ushqen rrjetet korruptive”-përfundon Zef Preçi.

Nisur nga deklarata e ish-deputetit Agron Shehaj dhe verifikimeve që ne bëmë, këtë deklaratë do ta kategorizojmë si të vërtetë.