Kush është Agroni

Agroni

Jetëshkrimi

Agroni vjen nga një familje patriote vlonjate, e cila u përndoq nga regjimi komunist. Gjyshi, Sulo Shehaj, luftëtar në Luftën e Vlorës, ishte ndër personat e parë të burgosur politikisht pas vendosjes së komunizmit dhe vdiq në burg më 1948.

Në mars 1991, kur ishte vetëm 13 vjeç, Agroni emigroi me familjen në Itali, në një udhëtim të vështirë me anije drejt lirisë. Shkollën fillore dhe të mesme i përfundoi në Bolzano ndërsa studimet universitare për ekonomi i kreu në Universitetin e Firences.

Pas 15 vitesh në Itali, Agroni vendosi të kthehet në Shqipëri, nga e cila nuk u shkëput asnjëherë shpirtërisht. Në Shqipëri ai ktheu një ide të thjeshtë biznesi, për të ofruar shërbime përmes telefonit, në një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare: Intercom Data Service Shpk, kompania që Agroni krijoi në vitin 2005, u bë kompania e parë shqiptare që eksportoi shërbime për tregun europian.

Kompanitë e themeluar prej tij sot ofrojnë shumëllojshmëri shërbimesh teknologjike, përfshi marketing digjital, në Itali, Britani të Madhe dhe SHBA. Ato i kanë sjellë ekonomisë shqiptare qindra miliona euro nga jashtë dhe kanë punësuar deri më sot mbi 40 mijë persona, më së shumti të rinj, shumica e të cilëve kanë vazhduar më pas karriera të suksesshme në çdo fushë.

Ai është themeluesi i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”; Fondacionit “Kujto Albania”, i cili ka ndërtuar arkivën online të krimeve dhe viktimave të komunizmit; Klubit Sportiv “Spartaku” për fëmijët në nevojë; Akademisë Link për trajnimin falas të të rinjve në teknologjitë digjitale. Ai është mbështetës i kauzës së edukimit të fëmijëve me sindromën Down dhe i organizatave në mbështetje të tyre.

Përkrahës gjatë gjithë jetës i të djathtës dhe i Partisë Demokratike, në vitin 2017 Agroni vendosi të përfshihet në politikën aktive, dhe u zgjodh deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë. Në veprimtarinë e tij politike, Agroni ka qenë zë i fortë kundër korrupsionit qeveritar dhe kapjes së ekonomisë dhe qeverisjes nga një grup i vogël biznesmenësh grabitqarë. Ndër të tjera, ai bëri publik skandalin e “ndërtimit” të Unazës së Madhe të Tiranës nga një kompani fantazëm, duke i shpëtuar buxhetit rreth 30 milionë euro të parashikuara të pastroheshin në llogari personale në SHBA.

Në zgjedhjet e 25 Prillit 2021, Agroni garon i gjashti në listën e PD-së në qarkun Tiranë dhe drejton fushatën në Njesitë 5 dhe 7 në kryeqytet.

Agroni është i martuar me Enidën dhe kanë dy djem dhe një vajzë.

Shqiptarët kanë nevojë për MUNDËSI!